Vizita e Kryeministrit Rama në Triste të Italisë ka ngjallur entuziazëm jo vetëm në Serbi, por edhe në mediat jo të kazanit, këtu në Tiranë. Me kënaqësi u prit kjo vizitë nga miku italo-shqiptar, gazetari i njohur për syzet e tij, shoku Karlo Bollino. Gazetari ynë Tahir Avazi, ka mundur të sigurojë letrën e Karlos, drejtuar Kryeministrit. Ja çfarë shkruhet në të.
Caro Edi!
Së pari dua t’ju lajmëroj për një lajm të gëzuar për Shqipërinë, vendin tim të dytë. Pardje vendit tonë ju shtuan edhe 30 vetë. Nuk e kam llafin që lindën 30 vetë në maternitete. Këta 30 vetë ju shtuan vendit tonë të vogël, falë punës së mirë të policisë sonë. Edhe policia, kjo forcë e madhe juaja, po kontribon në rritjen e popullsisë.
Pardje caro Edi, një avion i vogël i solli këta 30 vetë prej Francës, pasi kishin gabuar dhe kishin kërkuar azil atje. Në pritjen e tyre ishte edhe shoku Stefan Çipa, zëvendësministri i Brendshëm. E ke parasysh Stefanin, besoj.
Është ai djali që e ka bërë Sarandën lule kur ishte Kryetar Bashkie. Ata të tridhjetë kishin shkuar në Francë, përpara zgjedhjeve.
Sa morën vesh që zgjedhjet i fituat ju, ca zbathur, e ca me atlete, erdhën në Tiranë të shoqëruar nga policia franceze.
Ata nuk e dinin që zgjedhjet i fituat ju, ndaj rrinin në Francë. Sa morën vesh nga ca gazetarë të medias sime që ju thanë që zgjedhjet i fitoi Edi Rama, atyre ju shtuan lotët e gëzimit. “Jam shumë i lumtur që kthehem në vendin tim”, deklaroi për mikrofonin e medias time, një djalë me atlete.”
Meqë ra llafi te atletet… Me molto entuziazëm ndoqa vizitën tuaj në Trieste, caro Edi! Jam shumë i lumtur, që ju dolët i gëzuar nga kjo vizitë. Falë vizionit tuaj, Serbia tani do ketë 1 miliardë dollarë investime. Kur është fqinji mirë, jemi edhe ne, i themi neve shqiptarët.
Të jap llafin që për kokën e Koço Kokëdhimës që e kam pasur aksioner, unë nuk do largohem nga Shqipëria, siç gabuan edhe bënë ata 30 vetë. Jam shumë i kënaqur këtu. Besoj se e ke vënë re, që këtë kënaqësi media ime e shpreh në çdo lajm.
Të përgëzoj dhe të vlerësoj që në takimin me ata evropianët, kishe veshur atlete.
Le ta dinë ata që ti, ashtu si Skënderbeu, je një atlet. Ai ishte atlet i krishterimit, ti je atlet i zhvillimit të fqinjëve.
Caro Edi! Më pëlqeu shumë ideja jote dhe e Endrit që bëtë publike në facebook 100 vetë të korruptuar. Mendoj që ketë nismë ta shtrish në kohë dhe ta bësh shpesh. Je nje gjeni i vërtetë edhe kur je kot. Unë jam gati për bashkëpunim, me gjenialitetin tuaj.
Ju sugjeroj, miku im i shtrenjtë, që të korruptuarit t’i bëni publikë te unë.
Unë jam i hapur për bashkëpunim. Bunk-Art(in) që ndërtove dhe që ma dhe mua të nxjerr lekë prej tij, e vë në dispozicion kur të duash. E bëjmë komtratën sikur ta kam dhënë që para një viti e ca po deshe.
Për hir të luftës kundër korrupsionit, ti e di ç’ jam i gatshëm të bëj unë.
365 ditë të vitit madje ta vë në dispozicion bunkerin. Njëherë në katër vjetë, jam gati ta bëj edhe 366 ditët e vitit.
Le të vendosim në atë bunker emrat e atyre që ti mendon se janë të korruptuar dhe njerëzit të vijnë e t’i shikojnë dhe demaskojnë. Të krijojmë një tabelë “Fletërrufe” p.sh. pranë Komandantit dhe t’i publikosh në këtë tabelë emrat.
Kuptohet, njerëzit të vijnë t’i shikojnë këta maskarenjë të korruptuar që të ndalojnë ty i dashur për të bërë shtet, kundrejt pagesës. 3 euro p.sh. Të huajve ja u bëj 7 euro.
Njerëzit kanë nevojë të njihen me ata që ti i shtrenjti im, do demaskosh.
Besoj se pasi do e bisedosh me Endrin këtë ide timen, do biesh dakord. Vizitat në BunkArt-in që më dhatë bashkë me Endrin, s’po nxjerrin shumë lekë, ç’është e drejta. 300 mijë euro mezi i bëj në vit. Sa bukur do duket sikur me dorën tënde artiste të shkruash çdo muaj emrat e të korruptuarve. As Iris Luarasi dhe as Diana Çuli që mbrojnë të drejtat e njeriut, nuk do jenë kundër kësaj ideje.
Le që kur kanë qënë kundër teje ato, që të jenë sot.
Jam në pritje të idesë time në të mirën e përbashkët.
Të përqafoj me mall, miku yt i medias së jo kazanit,
Karlo Bollino