I dashur Babagjysh,
po e nis troç: për vitin që shkoi, dhe këtë të riun që erdhi, vendosa mos të shkruaja letër si fillim. Me VKE (Vendim Këshillit të Elfëve) e rradhës, ti dole jashtë loje në Shqipëri për kët vit…
Nuk do zgjatem shumë, por së pari të më falësh që po të shkruaj me vonesë, po nuk e pashë të nevojshmë të të bezidja kët vit, pasi dëshirat e mia vendosa t’ia thoja atij babagjyshit që doli në emisionin e së Dielës shqiptare tek Klani, që e morra se ishe ti fillimisht. Mirëpo më vonë e pashë që ishte burri me tepsinë e plotë i dashur babagjysh, ai që është dhe Kryeministri i vendit tonë. Un i them burri me tepsine e plotë, pasi siç mund ta dish ene ti, ai fitoi i vetëm dhe morri gjithë tepsinë e vendit në qershor. Tani, siç dëgjoj dhe komshinjtë, me mandatin e dytë (un as e di ç’ësht fjala mandat, po di që flitet për kohë të gjatë), do ia luaj tepsinë në hava këtij populli.
Vjet (për parvjet) të thashë që gjërat shkuan vaj për vendin tim… sivjet (për vjet) do të them që gjërat shkuan shurup. Babakryeministri, filloi mandatin duke ndryshuar rrënjësisht-fasadat e institucioneve, duke filluar e mbaruar kështu me emërtimet e tyre që gjyshja iu referohet si “emëra pompozë.” Ndërsa konçesionet lulëzojnë vendin anembanë, pyjet blerojnë nga memorandumi në letër i hekurt për mosprerjen e drurit. Peshkimi po njeh vështirësi nga ana tjetër pasi po respektohet memorandumi tjetër për ndalimin e gjuetisë në kohë çiftimi, pavarësisht se nëse je për një tavë peshku të sugjeroj të ndalesh në Kukës babagjysh.
Të gjitha po lulëzojnë, me përjashtim të Lulëzimit të opozitës o babagjysh. Ai vazhdon thirrjet për revolucion, rrëzim të narko-qeveritarëve (as nuk e di ç’ësht fjala narko por kuptoj që bëhet fjalë për diçka të bardhë), çlirim të vendit nga fushat e mbjella në ato maja rripa-rripa pirg me “marjana” e me “pipa” (nuk e di a kam shkruar mire), dhe përfundon me ushtimën për një Shqipëri europiane… Ndërkohë që votojnë kundër çdo komisioni hetimor të propozuar e me mbështetjen e nga Bashkimi Europian apo SHBA në Kuvend. Me pak fjalë opozita ofron plumba për popullin, ndërsa qeveria mbjell lule dhe thërret kamerat t’u marrin erë. Populli i ndjek si spektator para TV..
E kështu edhe ky vit o babagjysh… Nëse dikur në “kohët blu”, kur gazetarët shkonin nëpër institucionet shtetërore për të marrë përgjigje për problematika të caktuara, kohët kanë rilindur… Gjyshi gjithmonë citon një Pjetër Arbnori, ndoshta edhe ti e ke njohur… se thotë që tani është koha e “specialistëve”… Sot gazetarët priten nga homologë të tyre ekspertë të imazhit që punojnë në adminstratë, pompohen me fjalë e përcillën andej nga ardhën… por pa përgjigje nuk mbeten! Nuk ka fjalë më babagjysh, qeveria punon vetë me fjalë!
Nërkohë, ti tashmë e di që fëmijët tashmë prej 2 vitesh e kanë një babagjysh përditë përgjatë vitit. Lali Eri, inaguroi për ne fëmijët e Tiranës, plot 25 parqe rreth e përqark kryeqytetit vitin që lamë pas. Mirëpo këto parqet janë si flluskat e Capaculit o babagjysh, se sapo shihja në TV un përurimin e parkut të ri, i thoja mamit të më conte. Ajo më thoshte se un kisha qënë atje, por thjesht ish-mbjellë me ndonjë pemë e ish ngulur ndonjë shilarse e re, po un jo… “Të ikim!”- i thoja. “Epo ikim se na plase”- më tha një ditë. E më çoi në fillim tek lulishtja e Komunës së Parisit, se atje doja si fillim un. Me të shkuar, ngrysa turinjtë… Pashë po ato lodra, thjesht të reja. “Tani do ikim tek Mamadhia & Kecat e Saj prapa Piramidës”-më tha mami. Shkuam dhe atje, pashë që ish shtruar lulishtja me guraleca, e ish bërë me trotuar. Po ato lodra… “Tani ikim tek ish-parku i autobuzave…”-më tha mami. “Ahuuu”- i thashe un. “Do ikim që ç’ke me të”-më tha. Edhe shkuam… ç’te shihja un… Parku nën rrethim nga qepena gjithandej, kamiona si ato lodrat që kam në raft unë, që mbajnë tulla e beton, edhe një vinç. “Po këto lodrat me lek janë mami?!”-e pyeta unë dhe tregova me gisht për nga mjetet. “Jo janë falas kur të hapen”-më tha mami. Edhe ikëm… Ndërkohë para dy-javësh, i thashë gjyshit të bëja dhe një xhirro me tren tek 7-Xhuxhat… “Do bësh xhirro së shpejti me ashensor në kat të 25!”- ma ktheu gjyshi. “Do hypësh atje e do shikosh…” “Qeeepeeee”- i thërret gjyshja dhe e ndërpret në atë moment. “E moj e … do shikojë Tiranën do i thoja nipçes! Qetësohu!”
E kështu Lali Eri, po njësoj ka lënë edhe rrugët që po rindërton përqark qytetit tonë… Një komshi thotë i lë me qëllim të zvarriten punët për demostrim-të theksuar që është duke punuar. Kështu ka 2 vite me Komunën e Parisit, që po e bën me rrotullime, apo Rr. Faik Konica prapa stadiumit që lidhet me Ekonomikun, etj… Pra, puna e vjetshme u la prapë për sivjet… por siç thonë edhe njerëzit, rëndësi ka që po punon, por se me çfarë po merret e çfarë do japë si rezultat, duket se ka pak rëndësi… Në fëmijët së shpejti mezi presim të luajm nëpër çatitë e qiellgërvishtësave!
Një tjetër lajm i gëzueshëm o babagjysh është që nëpër shkolla do marrim vetëm 3 libra tashmë përditë… Vala e reformave më në fund preku edhe çantat tona të shpinës dhe u shtri edhe nëpër bangat tona të shkollës… Dikujt atje lartë i erdhi keq për trupat tanë të cilët po i dukeshin sikur po merrnin formën “S” nga rëndesa e librave, dhe vendosi t’i bëjë oraret dyshe për çdo lëndë. Zyshat gjithsesi, sikur nuk e pritën mirë këtë “manovër-akademike” do thosh gjyshi, dhe tani përdita na i shfryjnë neve inatin pasi e kanë humbur torruan. Sikur ishim ne që e bëmë, e jo babakryeministri. Im atë tha, “kur s’ke ç’i bën gomarit, i bie samarit… kshuqë të keqen babi, s’keni ç’të bëni po duroni se do kalojë…” Nërkohë përvit tekstet shkollore ndryshojnë shtëpitë e botimit sipas dëshirave të autorëve, dhe nga viti në vit nuk pranohen të njëjtat libra përvit. “Shkenca ecën përditë të dashur nxënër, prandaj tekstet rinovohen”- na tha zysha kujdestare. Ndërkohë ne, shohim thjesht “ctrl+c = ctrl+v” përvit pas kopertinave..
Tani për kët vit i dashur babagjysh, unë jam vonë për të shprehur dëshirat e mia pasi ti ke ikur e unë u ngatërrova ku të rrëfehesha, se siç të thashë, në fillim i shkrova babakryeministrit se e morra për ty pasi doli në TV… Ai ia vuri veshin letrës më thanë këta shpisë për të më qetësuar, por problemi me dëgjimin e tij më thanë ata, është se babakryeministrit gjithmonë do i dalë ajo që dëgjon nga veshi tjetër, prandaj nuk ka vesh të saktë për atë që i flet!
Në fund, do të lutesha vetëm për një gjë: Gjithandej dëgjoj njerëzit kur thonë që këta politikanët janë një rracë me derrat… Kështu pasi u mendova dhe reflektova mirë edhe gjatë orëve të diturisë së natyrës në shkollë, erdha me një propozim: M.q.s. mësova që demokracia është pushteti i shumicës së popullit, dhe aty në parlament kemi vetëm 140 veta, a ke mundësi t’ju bësh vend në Kuvend gjithë derrave të këtij vendi i dashur babagjysh? Kështu me këtë lëvizje guri vret shumë derra! Ata 140 do kenë konkurrencë, ndërsa të tjerët që futen do zgjerojnë “zërin” në emër të popullit e do hanë njëri-tjetrin! Do mbeten shumë gica jashtë, por ndoshta duke parë “prindërit” qullen!
Këtu po e mbyll, se për pak do ulemi për darkë. Dëgjohemi Vitin tjetër babagjysh, e kujdes tek doganat tona kur të futesh! Kontrollo drerët për “dëborë” nën trasta!
Të përqafoj fort,
🙂
___
P.S. Babagjysh, më fal edhe njëher që të ngatërrova me babakryeministrin e PS!
***