Letër shokut Kim Jong-un

Letër shokut Kim Jong-un
Letër shokut Kim Jong-un

Fort i nderuar Lider Suprem i Koresë së Veriut dhe shtrenjtësisht shoku ynë Kim Jong-un,

duke shpresuar që letra e shokëve të tu nga Shqipëria të të gjejë plot me shëndet e gëzim, gjejmë rastin të të përshëndesim e përgëzuar për arritjet e tua kohët e fundit në fushën e sigurisë rajonale dhe pozitën e përforcuar gjeopolitike të vendit tuaj. Korea e Veriut sot, sikurse dhe Republika Socialiste e Shqipërisë dikur, hedh valle në gojën e kojotës. Arti tuaj diplomatik i nxorri tigra prej letre gjithë armiqtë e vendit tuaj!

Ç’të reja sjellim ne nga Shqipëria për ju shoku Kim? Faktikisht, e reja tek ne ka ngelur në tranzicion prej 28 vitesh fatkeqësisht, qëkur vendi ynë u shkëput nga kampi revolucionar bolshevik duke tradhtuar me themel idealet komuniste. Shokët tanë janë gjetur të rrethuar nga influenca e agjenturës së huaj kryesisht perëndimore në vendin tonë, të cilët kudo kanë shtrirë tentakulat e tyre e po na persekutojnë më keq se Beria në kohën e shokut Stalin kur “spastronte” popullin sovjetik nga vemjet e agjenturës së huaj. Megjithatë, një grup shokësh kanë arritur t’i bëjnë ballë çdo ndikimi dhe presioni të jashtëm përgjatë këtyre 28 vite, duke vazhduar besimin e palëkundur se një ditë, diktatura e proletariatit do të rivendoset sërish edhe në Shqipëri, dhe siç thoshte edhe shoku e komandanti ynë legjendar Enver Hoxha (mik për kokë dhe me babain tuaj shokun Kim Jong-il), rruga drejt revolucionit proletar botëror do vazhdojë të jetë një çështje e shtruar për zgjidhje.

Fort i nderuar shoku Kim Jong-un, të dini që Korea e Veriut nuk ndodhet e vetme në këtë përballje kundër imperializmit amerikan dhe koneve të tij. Ju kini shok e shoqe edhe në Shqipëri, të cilët jo vetëm ju nderojnë, por dhe ju japin mbështetjen e plotë për vendin e popullin proletar koreanoverior, pasi ne besojmë se sikurse dhe vendi ynë njëher e një kohë, ju jeni vendi e populli i vetëm në botë të cilët i keni qëndruar besnik linjës marksist-leniniste dhe keni ndjekur në mënyrë ortodokse parimet e materializmit-dialektik, pa deviacione ose shtrembërime të tipit revizionisto-jugosllav ose kinez. Për më tepër, populli heroik tuaj, i ka dëshmuar botës, sikurse Rep. Socialiste e Shqipërisë deri në vitin 1990, se dhe bar ha por armikut dorën kurrë nuk ia shtrin! Pavarësisht reprezaljeve, sanksioneve ekonomike, presioneve ndërkombëtare, populli koreanoverior, nën drejtimin legjendar të Partisë së Punës së Koresë së Veriut nga gjyshi Tuaj deri tek Ju sot, ka arritur t’i bëjë jo vetëm ballë, por t’ua kthejë bumerang armiqve intrigat dhe prapësitë që gatisin në çorbat e tyre.

Megjithatë, me shumë krenari e nderime, shokët e tu në Shqipëri kanë një sugjerim për Ju, shoku Kim. Një sugjerim i cili ndofta ndihmon vendin tuaj për tejkalimin më me lehtësi të këtij ngërçi diplomatik që e ka prekur së fundmi. Propozimi ynë mund të shihet si një çifte dygrykëshe zjarri ku: në njërën anë i mbyll gojën gjithë armiqve të jashtëm të vendit tuaj të cilët gargarisen për arsenalin tuaj nuklerar të krijuar plot mund me forcat tuaja, dhe në anën tjetër i jep mundësi drejtuesve të programit dhe Ushtrisë së Popullit Korean të bëjë teste reale me objektivë konkretë.

Më konkretisht, na lejoni së pari t’ju japim një vështrim të shkurtër mbi zhvillimet politike të brendshme në vendin tonë këto 30 vitet e fundit, pasi kjo do ju shërbejë si prelud që të gjykoni më saktë edhe propozimin tonë përpara se të merrni vendim.

Partia Nënë, pra Partia e Punës së Shqipërisë, pak pas ngjarjeve në Berlin, vendosi të lëshojë terren ndaj pluralizmit, prandaj e pa të arsyeshme në vijim e të vendimeve të Katovicës, t’i jepte jetë dy bijave të saj, Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste. Shoku Ramiz Alia zgjodhi me kujdes liderat e së majtës e së djathtës së re të projektuar për vendin tonë, e kështu la popullin shqiptar i cili e kish humbur busullën, të kryente “njëfarësoj përmbysje” të sistemit. E kështu u bë!

Me hyrjen në pluralizëm, ndryshuam dhe Kushtetutën e RSH-së duke e shpallur republikë parlamentare, me zgjedhje të lira, ekonomi tregu të lirë, bla-bla.. etj. me pak fjalë demokraci o shoku Kim Jong-un. Kështu kargon e djathtë e morri mbas veti ta tërhiqte shoku Sali Berisha, ndërsa kargon e majtë shoku Fatos Nano. Kështu vijuan të bashkëqeverisin vendin dy partitë bija duke filluar natyrisht me të djathtën, e cila fitoi zgjedhjet pas dy votimeve në ’91 me zorr dhe me vota të vjedhura (kjo në saj dhe të agjenturës së huaj perëndimore). Më pas e morri e majta, e kështu me rradhë deri në 2013. Në këtë vit, e majta rikthehet në pushtet, por tashmë me një lider të ri i cili uzurpoi vendin e kryetarit të partisë pas një puçi të brëndshëm në vitin 2005. Edi Rama trashëgoi barrën e lënë nga pushteti i konsumuar i shokut Sali gjatë dy mandateve 2005-2013, por tashmë me një të majtë të rilindur si e djathtë ekstreme. Partia Socialiste e Shqipërisë, kish qysh në gjeneze që ish moderuar nga partia mëmë, pra revizionizmi prekte disa aorta e shumë linja kapilare ideologjike. Mirëpo me ardhjen e Ramës, e majta kreu transplant në zemër duke u kthyer në një të djathtë ultrakonservatore, me politika neoliberale të ndjekura nga vende të kampit imperialist si Britania e Madhe, Amerika, Franca etj. ku filozofia për të ardhurat kryesore të financave shtetërore bazohet në dhëniet me konçesion të aseteve publike dhe agjencive shtetërore, dhënie përmes Partneritetit Publik-Privat të hapësirave publike, portofole investimi privat në ente rregullatore shtetërore, privatizime kudo pa kufi, e a doni ma për Ramulin o shoku Kim Jong-un?!

Për më tepër… Shokut Enver dhe shokut Ramiz, s’po iu treten kockat me këto që kanë parë e dëgjuar së fundmi me Tiranën, pale me partinë, shtetin e popullin se çfarë po gjurulldisin e katranosin. Falë kryebashkiakut, shokut Lali Eri, Tirana po merr dhe dozën e fundit letale të betonit. Kudo mbillen shumëkatëshe, kudo çelen kioska, kudo sheh zorrët e infrastrukturës rrugore përjashta që zvarriten prej së paku 1 viti anembanë qytetit. Dhe më e bukura? Në media shoku Lali del artist! Ku duke mbjellë pemë, ku duke inaguruar parqe (kopshte të vogëla të rimbjella me bar), ku duke organizuar evente etj. Edhe vetë Gebelsi shoku Kim, do mbante shënim mbi metodat propagandistike që përdor Lali me shokët e tij të medias në bashki.

Duke përfytyruar këtë tablo kaotike të vendit tonë nisur nga përshkrimi i mësipërm që shokët e tu të Shqipërisë po të bëjnë shoku Kim Jong-un, tani besoj do jesh më i qartë për të marrë një vendim të drejtë pasi të dëgjosh propozimin tonë.

Është fakt tashmë i mirënjohur se populli tuaj, nën lidershipin e hekurt e të palëkundur të familjes suaj dinastike, disponon sot armë bërthamore, çka e bën vendin tuaj një fuqi të konsiderueshme rajonale. Mirëpo fuqia e popullit tuaj punëtor shoku Kim, ka shqetësuar qentë e imperializmit kapitalist, të cilët përmes lehjeve parreshtur të tyre, iu kanë vënë sanksione ekonomike, bllokada tregtare, veto në shumë iniciativa rajonale, si pasojë e vazhdimit të programit tuaj për pasurimin e lëndëve radioaktive të nevojshmë për prodhimin e armëve nukleare.

Gjithsesi, Ju keni të paktën një avantazh të madh shoku Kim, që është arma më e fuqishme për një lider: nuk keni armiq të brendshëm, pavarësisht se jeni të rrethuar nga armiqtë imperialistë, popullin e keni të gjithin me vete. Ndërsa tek ne, situata ndryshon! Ne nuk jemi të rrethuar nga armiq, por e kemi mes nesh dhe populli ynë është si një tufë e verbër bagëtish të ndryshme që turren në të njëjtin stan, i përçarë e paditur se cilin shteg zgjedh.

Nisur nga kjo, shokët e shoqet e tu, të ofrojnë një propozim sa të shkurtër, aq edhe efikas.

Shoku Kim, ju lutem konsiderojeni Tiranën si objektivin e ri për të testuar raketat tuaja bërthamore. Ndërkohë që luhet botërori dhe mileti ka mëndjen tek topi, Këshilli Kombëtar i Territorit mblidhet me dyer të mbyllura dhe i bën topin hapësirave publike. Për të pasur dhe një simbolikë të veçantë për debatet e fundit të betonizimit tek ne, ju lutem kalibrojeni bombën drejt koordinatave gjeografike ku ndodhet Teatri Kombëtar, vetëm pak metra larg Bashkisë. Kështu kërpudha e ngritur do jetë mjaftueshëm e lartë dhe e hirtë, dhe “i uruari” kryebashkiaku nuk do mundohet të shkojë larg për t’u përuruar!

Prandaj trajtoheni hartën e Tiranës si poligon qitjeje. Një Tiranë me hartë të plotë e të rregullt sipas një plani urbanistik, të ngjashëm me vëndet e tjera Europiane, ku dhe jemi drejtuar të shkojmë! Ku ka zgjidhje më të bukur! Ju testoni raketat me shënjestra reale, ndërsa populli shqiptar, nga hiri i Tiranës së rrafshuar, do ketë mundësi të “rilindë” si Feniksi një kryeqytet të ri! Për më tepër, ju me këtë lëvizje guri, keni vrarë dhe një zog të dytë pasi ua mbyllni gojën edhe armiqve tuaj ndërkombëtarë duke u thënë se keni marrë një propozim e ftesë nga vetë populli shqiptar për të kryer testet në tokën e tyre! Pra jo shkelje sovraniteti, ose agresion ushtarak por përkundrazi, ftesë vullnetare dhe e plotndërgjegjshme!

Si mendoni shoku Kim Jong-un?

Ju lutem, na bëni me dije sa më shpejt, pasi teksa shohim përditë propagandimin që i bëhet “bukurisë” së qytetit, na duket sikur sa më tepër marrim ajër në këtë qytet, është një torturë që nuk ia dimë fundin, dhe se do ish më mirë sikur të jetonim në Çernobil pasi do e dinim se do na vinte fundi shpejt, pa mundime dhe përpjekje për shpëlarje truri nga fabrika mediatike bashkiake.

Po e mbyllim këtë letër i nderuar shoku ynë aziatik, duke të kujtuar respektin dhe përkushtimin tonë për Ju dhe popullin epik koreanoverior. Duke shpresuar në një përgjigje pozitive nga ana Tuaj, nuk na mbetet gjë tjetër përveç urimeve tona më të mira e të sinqerta për Ju të shoqëruara me konsideratën më të lartë për byronë politike udhëheqëse të vendit tuaj: të vazhdoni të palëkundur vijën e vetme që historia na dëfton e cila mbetet marksizëm-leninizmi, të korrni sukses në testet tuaja ushtarake në çdo armatim, të keni prosperitet dhe zhvillim “bërthamor” ekonomik, si dhe t’i ulni brekët gjithë armiqve tuaj!

Mbetemi në pritje të përgjigjes Tuaj!

__________

Me nderime,

shokët e tu të armatosur me pena në Shqipëri.

###

Tags from the story
, ,
More from Edi Sara

Fisnikëria e një burri, thonë se matet nga mënyra si trajton femrat

Sikur të mos mjaftonin ngjarjet jo fort të këndshme të këtij viti...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.