Viti Jubilar- Gj. K. Skënderbeu në Hollywood (Peticion SHBA)

Viti Jubilar- Gj. K. Skënderbeu në Hollywood
Viti Jubilar- Gj. K. Skënderbeu në Hollywood

550V: 1468- 2018                                                                                                                              (Article available in English)

Më 17 janar të këtij viti, Shqipëria kremtoi 550 – Përvjetorin e Vdekjes së Heroit të saj mbarëkombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Epopeja e luftërave të Skënderbeut për mbrojtjen e Principatës së Arbërit, i cili u kthye në një mur të padepërtueshëm për hordhitë osmane drejt Europës, duke e shndërruar princin shqiptar në një kalorës mitik vigjilues ndaj kështjellës së krishtërimit europian, tashmë gjen gjurmët e saj pothuaj në çdo shtet të kontinentit tonë mëmë, përmes librave (600+), pikturave e monumenteve/statujave e artveprave të tjera kushtuar heroit.

Nuk janë të pakta dhe çmimet e titujt që princërit e mbretërit bashkëkohas i kanë dorëzuar Kastriotit, duke filluar nga Sulltan Murati II me titullin Iskander Bej (ekuivalent me Aleksandri i Madh, si shpërblim për arritjet e tij ushtarake në Anadoll), vijuar me titullin komandant i përgjithshëm i mbretit të Aragonës (1451), më tej me titullin “Athleta Christi” nga Papa Kaliksti II si mbrojtës i kështjellës së krishtërimit europian, e përfunduar me synimet e Papa Piut II të lëna në dorëshkrim për ta shpallur Skënderbeun zyrtarisht si Mbret të Epirit (pasi jo-zyrtarisht Kastrioti e konsideronte veten me kohë si trashëgimtar të Pirros dhe mbret të Epirit), etj.

Disa cilësimë të njohura botërisht ndaj figurës së tij, janë:

“I shenjte si Shen-Luizi, diplomat si Talleyrand, trim si Aleksandri i Madh.” – F.S.Noli, “Skënderbeu” (1921)

“Diplomat i shkëlqyer për të shfrytëzuar në avantazh të tij konfliktet mes palëve” – Virgjili

“Strategu i Aleancës së Parë Euro-Atlantike”- historiane/diplomatë studiues të shumtë.

“Më në fund Europa dhe Azia janë të miat! Mjerë Krishtërimi! Humbi shpatën e mburojën e vet.” – Mehmeti II “Pushtuesi”, në marrjen e lajmit të vdekjes së Skënderbeut.

Ndër vepra dedikuar ndaj tij përmendim poemën nga H.W. Longfellow (Histori e një hani afër udhës, Historia e dytë e çifutit spanjoll, Skënderbeu-1873; shqip. nga F.S. Noli në 1916), overtura nga Francois Francoeur (Rebel)- “Tragjedia Skënderbeut”, si dhe opera me 3 akte e Vivaldit, portrete të ndryshme mes të cilave veçojmë atë të piktorit të mirënjohur hollandez Rembrandt, etj. etj.

Megjithatë, mes gjithë librave, pikturave, busteve e statujave atribuar personit të tij në Europë, të gjithë jemi koshient se kinemaja është arti ose instrumenti (në varësi të qëllimit të prodhuesit) për të prekur masat me ndikim si në madhësi, ashtu dhe me efikasitet në kohë. Për këtë arsye, po nxjerrim në pah një vakum të madh të lënë mënjanë në harresë: filmin “Skënderbeu- Luftëtari i Madh Shqiptar”.

Ishte viti 1953 kur premiera e filmit u dha për herë të parë në sallën e kinemasë së ish-qytetit Stalin (sot Kuçovë) më 28 nëndor, dhe një vit më vonë filmi debutoi në festivalin e Kanës duke i siguruar regjizorit edhe 3 çmime ndërkombëtare. Me regji të Sergei Jutkevic (regjizori më në zë asokohe në BRSS), skenaristit Mikahil Papava, aktorit të spikatur më në emër asokohe në gjithë Bashkimin Sovjetik, Akaki Khorava (dekoruar me urdhërin e Leninit 2 herë e 5 herë me çmimin Stalin), Semion Sokolovski, Veriko Adzhaparidze (3 herë nderuar me çmimin Stalin) etj., dhe kolonë zanore të kompozitorëve të mirënjohur Georgi Svidorov dhe Çesk Zadeja; prodhimi u realizua nga kinostudioja e dytë më e madhe në botë asokohe dhe krenaria e kampit socialist me të cilin dhe vendi ynë ishte pozicionuar, “Mosfilm”, e cila nuk u tregua aspak e kursyer për nga buxheti dhe kasta e aktorëve vënë në dizpozicion të këtij filmi, duke kurorëzuar kështu në piedestal miqësinë mes dy kombeve tona me këtë monument epik audio-vizual.

Në vitin 2012, me rastin e 100 vjetorit të themelimit të shtetit tonë, qeveria e atëhershme, mes disa organizimeve të tjera që krijoi në nderim të etërve të kombit, vendosi dhe ripërpunimin e filmit për të rritur cilësinë e figurës, muzikës dhe zërave dublues.

Sot, 550 vjet pas vdekjes së tij, shqiptarët vazhdojnë të shikojnë këtë monument audio-vizual të prodhuar 64 vite më parë. Dhe ky realizim, falë aleatëve dhe miqve tanë të dikurshëm, Bashkimit Sovjetik, por sot të konsideruar si kundërshtar e armik si pasojë e ndryshimit të kursit dhe drejtimit të përgjithshëm orientues të vendit tonë drejt strukturave euro-atlanike. Megjithatë, besoj se populli ynë duhet t’i drejtojë një falenderim të vëçante shtetit rus për realizimin madhështor të filmit të vetëm kushtuar heroit tonë kombëtar, i cili për kohën e vet, ishte tepër bashkëkohor e cilësor, kjo dëshmuar dhe nga vlerësimet e shumta ndërkombëtare të marra në vëndet që u transmetua, përfshirë bllokun perëndimor.

Është e lehtë të duash mikun, por ndonjëherë leksioni më i vështirë për t’u mësuar është të duash armikun.” ~ Sun Tzu (Arti i Luftës)

Sot, 64 vite mbas prodhimit të filmit, Shqipëria qëndron në krah të vendit cilësuar si armiku më i madh i vendit tonë në kohën kur u prodhua filmi, por që sot konsiderohet si populli mik më i madh i vendit tonë, SHBA. Armiqtë e dikurshëm, miqtë e sotëm, disponojnë vendin kinematografik më të madh e më të mirë në botë, Hollywood-in. Nëpërmjet saj, Amerika arrin të ndikojë anembanë globit përmes ideve, kulturës dhe mesazheve që transmeton drejtpërdrejt ose indirekt nga ekrani i TV nëpërmjet filmave që prodhon.

Për të kuptuar influencën dhe rëndësinë e kinematografisë sot në botë në formësimin e opinionit publik, përmes paralelizmit kontekstual, në ndihmë do na vinte analizimi i konceptit “soft power”, të argumentuar për herë të parë nga profesori i mirënjohur i shkencave politike Joseph Nye. Epitoma më e saktë holistike për të shpjeguar teorinë e tij do ishte rasti i Hollywood-it. Nëpërmjet vlerave politike dhe kulturore, traditave, produkteve dhe politikës së jashtme, një vend josh dhe tërheq vënde të tjera t’i bashkohen vullnetarisht. Rasti i Hollywood-it është shembulli tipik ilustrues i konceptit të “soft power” në avantazhin pozitiv të Xhaxha Sam-it. Përmes makinerisë multi-miliondollarëshe të prodhimit të filmave, Amerika arrin të eksportojë vlerat dhe idetë amerikanë anembanë globit, duke mitizuar ose demaskuar, duke fanitur ose rrënjosur thellë në memorien e audiencës, duke shkruar ose rishkruar historinë, dhe duke shtyrë imagjinatën e njerëzve përtej kufijve racionale që arsyeja i vendos mëndjes. E gjitha kjo vjen përmes joshjes dhe tërheqjes pa imponim të audiencës së huaj, për t’u pajtuar me mendimet, traditat, botëkuptimet dhe absorbuar vlerat e traditat amerikane.

Tani, për t’u rikthyer në temën tonë, duke qenë në krah të vendit tonë aleat më të madh, do ishte shumë nëse i kërkojmë miqve të sotëm të na ndihmojnë në prodhimin e një filmi të ri, bashkëkohor dhe madhështor siç i takon e i ka hije heroit tonë kombëtar? Deri më sot, ka pasur një përpjekje në 2007, kur kompania kinematografike “Warner Bros.” deklaroi se do realizonte një film për Skënderbeun, kjo në saj edhe të përpjekjeve të komunitetit shqiptar që jeton në SHBA, megjithëse kaloi në heshtje e iu nënshtrua harresës. Përpjekja e rradhës erdhi në 2010 falë ish-kongresmenit republikan me origjinë shqiptare, Joe DioGuardi, kur shpalosi hapur para mediave dëshirën e tij të madhe për të realizuar një film për Skënderbeun, duke identifikuar edhe aktorin me famë botërore Russell Crowe si të preferuarin e tij në rolin e heroit kombëtar. Por dhe kjo përpjekje e kongresmenit iu nënshtrua heshtjes.

Mos vallë kjo lënie në heshtje dhe harresë vjen si pasojë e pikëpamjes kapitaliste të kompanive kinematografike, nga relacioni gjakftohtë kosto (prodhim) vs. audiencë (shitje)? A nuk do kish dhuratë më të bukur që miqtë e sotëm mund të japin, për të rivitalizuar e ngritur në panteon të artë dashurinë e kombit tonë ndaj Amerikës duke ndërtuar një monument të ri audio-vizual për heroin tonë epik?

7 vite i mjaftuan lidershipit tonë komunist menjëherë mbas lufte (1946) për të bindur miqtë sovjetike të sapodalë të rrënuar nga L.II-Botërore, për të prodhuar një film për Skënderbeun. Dhe sa vite iu duhen liderave tanë të sotëm (nëse iu ka rënë ndërmend ndonjëherë) për të bindur miqtë tanë amerikanë, kur ndërkohë kanë kaluar 28 vite nga ndryshimi i sistemit?

Kështu në vijim, le t’i japim një dorë shtetit tonë të dashur miq/ke, pasi përpjekja e tretë duhet të jetë vendimtare dhe triumfojë mbi lënien në harresë përmes heshtjes mediatike kombëtare dhe ndërkombëtare. Le t’i bindim kompanitë kinematografikë të Hollywood-it se Shqipëria nuk është një treg i vogël siç mund edhe ta konsiderojnë. Le t’ju vërtetojmë se kur vjen puna për atdhedashuri, kombi ynë ësht i pakursyer dhe diaspora përmes shoqatave patriotike shqiptare anembanë globit janë gati të kontribuojnë në këtë inicivativë. Për këtë, unë ftoj publikun mbarëshqiptar të firmosë online peticionin e ngritur nga Patrioti.al, ku i drejtohemi me një letër lutëse ambasadës së SHBA në Tiranë, për të na mbështetur në kërkesën tonë për prodhimin e një filmi të ri modern për Skënderbeun.

“I lutemi Ambasadës së Sh.B.A. në Tiranë, të mbështesë nismën tonë drejtuar kompanive kinematografike në Hollywood, për t’ju kërkuar prodhimin e një filmi bashkëkohor për heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, me rastin e Vitit Jubilar, 550 vjet nga vdekja e tij. Kujtesë, që i vetmi film ndaj tij, prodhuar nga (ish-miqtë tanë) Bashkimi Sovjetik, daton 64 vite më parë.”

“We plead to the US Embassy in Tirana, to support our initiative directed to the cinematographic companies in Hollywood, in asking them to produce a modern movie for our national hero, George Kastriot Scanderbeg, on the occasion of the Jubilee Year, 550 years from his death. Recall, that the only movie for him, produced by the Soviet Union (our ex-fellow), dates 64 years before.”

Sëbashku mundemi të bëjmë ndryshim! / Altogether we can make a difference!

Bashkojuni nismës, nëshkruani peticionin, e ndajeni me familjen Tuaj, komshiun, miqtë, kolegët, dhe gjithë ata/ato që nuk i njeh por e di që do i bashkohen kauzës si qytetarë të denjë të këtij vendi ose dashamirës të Shqipërisë, ftojini në Change.org:  https://bit.ly/2KfqVUO  

Synimi ynë: 500 mijë firma

Join our initiative, sign the petition, and share it with your family, neighbour, fellows, colleagues, and all the people that you are not acquainted but you know that will join the cause as dignified citizens of this country or benevolents to Albania, invite them over on Change.org:  https://bit.ly/2KfqVUO

Our goal: 500K sign./s                                                                           

 

Gj.K.Skenderbeu nga Odhise Paskali
Gj.K.Skenderbeu nga Odhise Paskali

***

 

 

Tags from the story
, ,
More from Edi Sara

Letër babagjyshit- 2024’5

Letra e radhës së nisur drejt babagjyshit, në prag të ndërrimit të...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.