… dhe në mes të heshtjes e cila kish pushtuar sallën nën flladin e reve të saj të padukshme për syrin, por aq të prekshme e depërtuese për veshin e audiencës prezente në këtë moment, ky moment u kthye në një kujtim epik që do perçinosej thellë në mëndjen e gjithsecilit prej nesh…
Ai u ngrit, me hap të ngadaltë, vështrim solemn dhe pozim plot pompozitet por në atë masë jo të tepruar saqë të krijonte hijeshi e të kallte respekt brenda normës së modestisë, u drejtua për nga podiumi para klasës, ngjiti shkallaren e drunjte, dhe pas disa çastesh që u dukën si një tjetër jetë s’di se nga ku, ai nisi ligjëratën e tij në përgjigje të pyetjes së drejtuar nga profesori për të folur për nje vend të huaj nga origjina e tyre…
“Miq të mi! Po rrotulloja globin kur njw flutur hyri nga dritarja dhe erdh e u ul papritur mbi një pikë të globit.. Ku do thoni ju? Në fakt nuk e di nëse qe rastësi apo jo, por ajo vate e u ndal pikërisht mbi një vend të vogël, në mes të një gadishulli Mesdhetar i cili herë valon për nga Perëndimi, drejt Europës, e herë drejt Lindjes, botës orientale Aziatike. Më konkretisht, ajo qe ulur mbi një hapësirë që quhej Shqipëri!
Sa u çudita me këtë rastësi të fatit, dhe për një çast mendova nëse fati po përpiqej të më kumtonte diçka në lidhje me ironinë e tij të dyfishtë! Atëherë pasi u mendova mirë, vendosa të paraqes para jush pikërisht këtë hapësirë që ish Shqipëria, e cila pavarësisht se përkon dhe me origjinën time, pasi unë jam Shqiptar, njëkohësisht është po aq e huaj për mua si Shqiptar sa ç’është edhe për ju!
Do filloj së përshkruari pikë së pari dukuritë gjeografike të saj, pasuritë natyrore dhe faunën! Në gjithë Ballkanin, nëse do e krahasonit për nga sipërfaqja e vet me shtetet e tjera të gadishullit, do çuditeshit e mrekulloheshit njëkohësisht që brenda 28,748 km2 të saj, do të mund të gjenit aq pasuri të shumta sa do mendonit se Zoti vetë e ka bekuar këtë vend! Por le të mos nxitohemi e të arrijmë në përfundime të parakohshme!
Male, kodra, fusha, lugina, lumenj, liqene, ujëra nëntokësore, minerale nga më të ndryshmit, duke nisur nga qymyrguri, fosfati, bakri e kromi, e duke përfunduar tek ari i zi, duke vazhduar më tej me faunën bimore të rritur e kultivuar me aq kujdes nga natyra, ç’ka nga ana e saj është e banuar nga një diversitet i larmishëm bote shtazore, duke nisur nga ujku, dhelpra dhe ariu, e duke bitisur tek rrëqebulli, krapi e korani, por për fat të keq, natyra e këtij vendi nuk është treguar aspak e kursyer në këto anë, pasi ndër gjithë racat e homo sapiens-ave që popullojnë Ballkanin e moçëm historik, vendosi gjithashtu pikërisht në këto anë edhe predatorin më të rrezikshëm të gjithë zinxhirit ushqimor: Shqiptarin!
Po aq sa dikush do mendonte se Perëndia vetë e ka dirigjuar dhe kompozuar relievin dhe pasuritë e këtij vendi njësoj si t’i ketë vendosur notat në harmoni të plotë mbi një copë pentagrami, ky person ka për të kuptuar se në vend të çelsit ‘sol’, Perëndia mesa duket ose gaboi ose ironizoi duke caktuar ‘Shqiptarin’!
Duket se Shqipëria me shqiptarin, ka lindur si një binom më vete në kokën e Perëndisë i cili kërkonte zgjidhje me ngulm, dhe pasi u mundua, vendosi ta testojë rezultatin e tij!
Si shpjegohet që ironikisht edhe flamuri i këtij kombi ilustrohet me një shqiponjë me kokë të dyzuar? Vallë ky popull jo më kot, në mënyrë të pandërgjegjshme caktoi të pasqyrojë realitetin e vet në mënyrë kaq të qartë? (Analogji me “Mosmarrëveshjen” e I. Kadares)
Mirësevini në Shqipëri, të dashur kolegë, një vend i cili shquhet për mikpritjen e tij historike, por që kurrë nuk është mirëpritur nga të huajt; ku të gjithë kërkojnë për punë por askush nuk punon, dhe ku nëse ndonjëri ka mjaftueshëm punë nis e qahet nga ngarkesa e saj, dhe kur dikush vuan për të, nis e qahet për bukën e gojës; mirësevini aty ku vllai-vllaun e qan, por kur vjen puna tek prona dhe toka, vllai-vllaun e varros; aty ku të gjithë rendin me nxitim rrugëve të qytetit, e të krijojnë përshtypjen e personave të cilët merren me çështje shtetërore apo administrojnë ndonjë biznes, por ku në fakt nëse i ndjek nga pas për të parë destinacionin, do përfundosh edhe ti në ndonjë kolltuk komod duke rufitur një filxhan me kafe; aty ku kryeqyteti është i pushtuar nga lokalet dhe llotot, ku për të gjetur numrin e saktë të tyre të duhet të punosh me funksion numerik në +∞; aty ku familjet janë ende fort të bashkuara, por kur hyn politika në mes, përçan dhe lidhjet kovalente vëlla-motër apo burrë-grua; aty ku edukata dhe morali ku farkëtohen brezat e rinj, janë ato të më të shkathëtit, më i forti më i miri, dhe se paraja zgjidh gjithçka e madje dhe dijen e blen; aty ku ka nga një universitet për lagje, por ku analfabetizmi, dekompozimi kulturor dhe paaftësia kapërxen çdo lloj norme parashikimi;
aty ku shteti shihet thjesht si një lopë nga ku mund të mjelësh qumësht, dhe ku aftësia e individit qëndron në faktin se nga sa sisa mund të mjelë njëkohësisht; aty ku adhurohet e lavdërohet krimineli, hajduti, mashtruesi e tradhtari, e ku përdhoset e përbaltet figura e heroit, dijetarit, patriotit, apo dëshmorit; aty ku gjymtohen apo priten për skrap buste bronxi apo hekuri; ku rrënohen vepra ndërtimi nga mangësia e tullave të cilat dita-ditës humbasin; ku të gjithë shahen, zihen dhe poshtërojnë duke hedhur baltë mbi njëri-tjetrin, ku divergjencat verior-jugor mbeten nga paradigmat më të mëdha që i vihen anash nacionalizmit të pafre që gjithkush përpiqet të pompojë për të dalë mbi të tjerët;
aty ku kapitalizmi mendohej si një sistem më i mirë se komunizmi, por ku vetë komunistët vendosën ta eksperimentojnë nëse ishte e vërtetë; aty ku qytetari nuk e duron dot pronën publike, pasi domosdoshmërisht e lidh me trashëgiminë komuniste, prandaj dhe preferon të betonizohet qyteti dhe parqet publike të zëvendësohen me lokale; aty ku parqeve natyrore iu vihet flaka për arsye zgjerimi toke për mbjellje, dhe ku rrafshohen male e zhduken lumenj për të mbledhur gur, zhavorr e materiale inerte; aty ku rrugët ndërtohen për 5-vjet por shkatërrohen brenda 6-muajve; ku këmbësori kthehet në mënyrë të pavullnetshme në një atlet në piste vrapimi me pengesa, pasi trotuaret jo vetëm janë të gjerë sa një “Smart”, por uzurpohen nga privatët me lloj-lloj metodash “zbukuruese”; në këtë vend ku rinia dhe brezat e rinj janë pleqëruar para kohe nga pushimet intensive të orareve të shkollës nëpër baret dhe lokalet të cilat kanë zëvendësuar ambientet akademike; ku studenti që kalon kohën në bibliotekë vlerësohet nga shoqëria dhe pedagogu si idiot, ndërsa nipi/mbesa/vllai/motra/djali/vajza e pushtetarit si gjeni me fletë dafine thjesht për fatin e tij gjenetik; aty ku për raste festash, ndryshe nga sa ndodh jashtë, çmimet nëpër tregje rriten jashtëzakonisht, e ku tregëtari pasi ta shet me 5-fish të shoqëron edhe me një urim: ‘Gëzuar edhe ti e Zoti qoftë me ty!’;
në këtë vend ku leku prish çdo ekuacion metafizik, dhe njësoj si peshku pa tru që shkon e bie në karrem, njësoj i gjëmon pas injorantit dhe budallait; aty ku rrugët e qyteteve gëlojnë çdo ditë nga një paradë e heshtur automjetesh lluksoze, po ku shumica e shoferëve/*eve të tyre shtrëngojnë rripin pas barkut çdo mbrëmje të javës vetëm për ta nxjerrë bishën e tyre jashtë parkimit në fundjavë; aty ku populli ndjek falas shfaqje humori në parlament, ndërsa episodet serioze shtetërore ndodhin prapa kuintave me kamera të fikura; aty ku gjuetari i ngre kurthe masive zogjve shtegtar, dhe tjetri bën qitje me kallash para derrave, ndërsa peshkatari peshkon me dinamit; aty ku turizmi blu lulëzon rreth e rrotull Adriatikut ku fekalet sërfojnë kah për kah me notarin, dhe ku plazhisti merr jodio dhe rreze dielli së bashku me kundërbimin e plehërave të cilat shëllehen në rripin bregdetar; ndërsa në Jon nëse shkon, nuk guxon të kalosh 50-m nga bregu i Vlorës pasi ndonjë motoskaf të kreh-qeros, ku pushuesi kërkon ndonjë qoshe e cila ka shpëtuar nga hijet vigane të ndërtesave që mbushin Sarandën valë-valë si bregore të hirta të parregullta;
Mirëseerdhët pra në Shqipëri, “Welcome thus in Albania”, nga ku emri vjen prej shqipeve, ku simbolizohen nga shqiponja, por ku nuk ka mbetur gjallë as edhe një e tillë!
Dhe pavarësisht këtyre problemeve, do pyesni ju, si ka mundësi që ky vend ende nuk është shojtur nga faqja e dheut, përderisa 2-shqiptarë nuk rrojnë dot në të njëjtën hapësirë, pasi kanë 3-mëndje të ndryshme, e jo më 3-milion! Të rrethuar për më tepër nga kufinjtë nga mijëra shqiptarë të tjerë!
Sepse historia e këtij vendi, sado e ndryshuar, e përbaltur dhe e cënuar të jetë për hir të interesave politike të brendshem, apo qarqeve dhe lobeve të agjenturës së huaj, ruan një të vërtetë të madhe të pamohueshme përderisa kombi shqiptar ende jeton sovran sot e kësaj dite në tokën e lënë trashëgim nga të parët e tij:
të bashkuar nga ndryshimi, dhe të ndryshuar nga bashkimi në mënyrë reciproke, shqiptarët e mbrojnë dhe gjithmonë do jenë fanatikë për identitetin e tyre!
Pavarësisht të metave, ata kanë me se të mburren në fund të fundit, dhe dinë se paraardhësit e tyre kanë derdhur plot gjak e djersë për këtë tokë të lirë sot, e ta mohosh këtë është mëkati më i madh profan për një shqiptar!”
-###-
[…]
Vazhdon shkrimin e ardhshëm…