Një foto mbi Tiranën, vlen sa 1000 fjalë të kryebashkiakut!

Foto Panoramike mbi Tiranen

Prolog

Fotografi zgjodhi momentin e përshtatshëm për të rrëmbyer pamjen “mahnitëse” të qytetit që shtrihej nën këmbët e tij, të cilat vareshin jashtë helikopterit që fluturonte i qetë në qiellin e hapur… Ai u përkul, nxorri aparatin-fotografik, rregulloi okularin, përshtati fokusin në varësi me largësinë nga toka që po fluturonin, në mënyrë për të kapur sa më tepër hapësirë nga perla-urbane që shtrihej mbi sipërfaqen e tokës, dhe më pas vuri dorën mbi butonin shkrepës…

Të parit që ia tregoi foton e freskët panoramike të sapo-larë pasi u ulën, ishte piloti i vetë helikopterit. I çuditur, piloti kthen sytë nga fotografi i cili nga ana e tij qëndronte i ngrysur në fytyrë, dhe u panë me një shikim kuptimplotë mes tyre. Atëherë fotografi i thotë:

“Kjo foto do prezantojë Tiranën në panairin e qyteteve të reja urbane. Shpresoj të kem nxjerrë pjesën më të mirë të saj…”

[…] Dhe ndërkohë ajo që pasqyronte fotografia e varur në një kënd të murit në ekspozitën botërore, nuk kishte asgjë më pak apo më tepër se ajo ç’ka vetë Tirana i ofron banorëve të saj.

Qëndra e qytetit tonë të dashur, rrezatonte një madhështi paqësore, e kallte tek shikuesi njëkohësisht një ndjenjë ankthi dhe dëshpërimi të thellë. Kaosi i qëndrës dhe rrethinave përqark kësaj, dukej sikur kishte jetë reale, përderisa arrinte të gjallontë dhe në atë kornizë statike para vëzhguesve, dhe krijonte tension e brengë tek këta të fundit.

Një arkitekt i njohur, vërejti format e lakuar dhe të “larmishme” të cilat kompozonin lartësitë e ndërtesave shumëngjyrëshe dhe shumëkatëshe të Tiranës, por kjo natyrisht u morr si kompliment nga përfaqësia e delegatëve tanë në ekspozitë..

Një biznesmen që rastisi aty pranë, dhe më tepër kishte ardhur në panair jo për kënaqësinë e të shijuarit pamjet e fotografive, por për të parë “hapësira të reja investimi”, i tërhoqën vëmendjen dy kullat tona binjake e bukuroshe krah bulevardit kryesor “Dëshmorët e Kombit”, përballë edhe Kryeministrisë. I entuziazmuar, ai menjëherë iu drejtua përfaqësuesve tanë atje, dhe hodhi idenë e të krijuarit dy të tjera si ato, por “edhe më të bukura” se të parat, përballë tyre, me një still post-modernist arkitekturor… Natyrisht, ai u ftua për bisedime të mëtejshme në zyrën e kryebashkiakut tonë.

Ndërkohë, një historian, i cili shoqërohej dhe nga një person tjetër që kish udhëtuar e parë shumë në botë, i cili kishte rastisur ta vizitonte edhe Tiranën në fillim vitet 2000, u stepën para fotografisë dhe filluan të bisedonin me nota të larta habie. Vizitori i vjetër i qytetit tonë, po i shpjegonte mikut të tij, se si qyteti ynë kishte “de-voluar” vitet e fundit, dhe i tregoi me gisht shtëpitë e vjetra të cilat njëher e një kohë artikulonin zonën e Rr. Elbasanit, ndërsa tani… një vargan i ri pallatesh 15-katëshe popullonin këtë zonë duke formualuar një simetri kosinusionale në vijë të drejtë pamjeje të lartësive të tyre…

Ndërsa nga krahu tjetër, përballë kalasë së vjetër të qytetit, mini-lulishtes së të madhit Noli, ku fillon dhe pedonalja e qytetit, një ndërtesë e re i krijonte hije Akademisë së Shkencave, pas Parlamentit të Republikës. Diametralisht në kahun e kundërt të saj, ngjitur me ish-SHQUP-in, sot nova-Roma e PD-së, një xhami e re, stoliste me 4-minaretë e saj Parlamentin, duke e dekoruar edhe me stilin arkitektonik orientalo-klasik neo-otomanist të shek. XVIII pararojën e ish-parkut të Namazgjasë me pemët e saj shekullore…

Pas tyre, kaloi dhe një ambientaliste i cili kur hodhi sytë nga fotoja mendoi me zë të lartë pasi gjuha e tradhtoi duke lëshuar një pasthirrmë habie të lemerishme. Ajo u afrua dhe shtangu para parkut të liqenit artificial të qytetit tonë, dhe iu tha përfaqësuesve të tjerë rrotull saj se ky park dukej sikur kish “hyrë në ujë” dhe ishte tkurrur dhe zvogëluar, dhe kapur nga lart, dukej si një copë e arrnuar vënde-vënde nga pjesë cope “të huaja”, sipërfaqja e gjelbër dukej si një copë lëkure qeni të zgjebosur, ku ende si njolla i rrinin tak-e-tuk ndonjë pjesë e pa rrënë. Dukej sikur një epidemi “e hirtë ndërtesash” kish pllakosur mbi këtë zonë vitale të Tiranës, si për nga bukuria, por dhe për mushkëritë e banorëve të saj.

Post-sinopsis

Nga fundi, u duk edhe një person tjetër, i cili, pavarësisht modestisë dhe delirit të madhështisë që shpaloste në çdo hap që hidhte, nxorri në pah edhe arritjet më të fundit që kryeqyteti i Shqipërisë kishte arritur këto 4-vite të fundit, duke filluar nga:

tramvaji modern i cili gjarpëronte mespërmes rrugëve kryesore të Tiranës; banjot e reja publike të ndërtuara në sheshet kryesore; korsitë e gjëra të biçikletave; trotuaret e gjëra të uzurpuara ngado nga karriget e lokaleve; për të vazhduar më tej me instalimin e rrjeteve të reja furnizuese të ujësjellësit duke eliminuar përdorimin e mëparshëm pa kriter të klorit në ujin e pijshëm; restaurimin e shtëpive muze; dhënien me konçesion të ndërtesave të pashfrytëzuara të qytetit si ish-hotel “Dajti”; duke vijuar me komplekset e reja të cilat eklipsojnë “Kodrën e  Dellit”, etj. etj.

Dikush nga fundi u ngrit në këmbë, e ndërpreu personin më lart, dhe i sugjeroi me guxim që këtë foto panoramike mbi kryeqytetin e Shqipërisë, mbi Tiranën tonë të ndrydhur me rrënjë nga betoni, ta ekspozonin në qendër të qytetit, pasi kursen njëmijë fjalë të vyera të thëna nga ai ose kryebashkiaku aktual shumë i zënë, i cili duket se e ka harruar dhe rrugën për në zyrën e tij nga ngarkesa e “axhendës opozitare”…

-###-

Tags from the story
More from Edi Sara

Ndeshja Sërbi vs. Shqipëri: Mbi repertorin sharës mes dy kombeve

-Duke ndjekur vendimin e UEFA-s për ndeshjen e shëmtuar Sërbi-Shqipëri, po vë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.